SIMPOZIUM PËR SINDROMËN DEPRESIVE

POST FESTUM
SIMPOZIUM PËR SINDROMËN DEPRESIVE

30-31 Tetor, 2009, Tetovë

Më 30 dhe 31 Tetor 2009, në Tetovë u mbajtë Simpozium për Sindromën anksioze- depresive, me karakter mbarëshqiptar, në organizim të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë të Maqedonisë. Në Takim morrën pjesë mjekë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Simpoziumi u mbajte në Hotelin “Lirak” në Tetovë. Sponzor general i simpoziumit ishte Kompania Farmaceutike “Alkaloid” nga Shkupi.
Takimin e shpalli të hapur Kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë të Maqedonisë Prof. dr Remzi Izairi. Kryetari i Shoqatës i përshëndeti të pranishmit dhe u dëshiroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në ambientin e Hotelit “Lirak” në Tetovë. Në fjalën përshëndetëse Kryetari i Shoqatës e potencoi rëndësinë dhe qëllimet e mbajtjes së këtij simpoziumi. Të pranishmit i përshëndeti Kryetari i Shoqatës – Dega Tetovë, dr Nagip Rufati. Në fjalën e tij ai tha se sot Tetova universitare krenohet pasi është nikoqir i këtij tubimi shkencor me vlerë dhe peshë të madhe mbarëkombëtare.

Simpoziumin e përshëndeti Prof. dr Vlladimir Borozanov, Kryetar i Odës së Mjekëve të Maqedonisë dhe Dr Gani Karamanaga, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Ulqin, Mali Zi.
Pjesa profesionale e takimit u zhvillua dy salla. Temat ishin nga psikiatria dhe neurologjia, si dhe tema të lira, nga të gjitha fushat e mjekësisë. Më tepër tema kishte nga psikiatria dhe neurologjia, pastaj nga mjekësia interne, kirurgjia, pediatria, gjinekologjia dhe anesteziologjia.
Pas çdo seance u zhvilluan diskutime me pyetje dhe përgjigje mjaftë interesante.
Punimet e kumtuara, gjithsej 93, janë botuar në suplementin e Revistës “Medicus”. Libri i punimeve përmban 290 faqe dhe zgjoi interesim të madh te mjekët.
Realizimi teknik i projektimit ishte i nivelit më të duhur. Në holin e Hotelit “Lirak” u mbajtë ekspozitë e industrive farmaceutike.
Në fund të simpoziumit fjalën përmbyllëse e paraqiti Kryetari i Shoqatës Prof. dr. Remzi Izairi, i cili mes tjerash, në emër të Kryesisë Qendrore të SHMSHM u falënderua për pjesëmarrjen masive. Në vazhdim e falënderoi Kryesinë dhe Kryetarin e degës së Tetovës Dr Nagip Rufatin, Drejtorinë e Hotelit “Lirak” për mirëkuptimin, Kompaninë Farmaceutike “Alkaloid” si sponsor general dhe industritë farmaceutike tjera, të cilat me kontributin e tyre e ndihmuan realizimin e këtij takimi.
Në fund, Kryetari i Shoqatës konstatoi se simpoziumi për sindromën depresive e arriti qëllimin e vet dhe ishte i suksesshëm. Shprehu dëshirë që këto manifestime shkencore ta ruajnë traditën dhe të jenë urë e bashkëpunimit dhe e këmbimit të ndërsjellë të arriturave shkencore të mjekësisë shqiptare kudo që ajo gjendet.
Për nder të pjesëmarrësve dhe mysafirëve u shtrua darke solemne.
Me kaq përfundoi dhe u mbyll Simpoziumi për Sindromën depresive Tetova 2009.