Kardiokirurgu shqiptar Dr. Omer Xhemali realizon transplantim të zemrës në një operacion tepër të ndërlikuar

Dr. Omer Xhemaili është ndër kardiokirurgët e vetëm shqiptarë me shumë specializime dhe përvojë në këtë fushë.. Me prejardhje nga Tetova, tani jeton dhe punon në Gjermani, më saktësisht në spitalin universitar Johann Wolfgang Goethe, Frankfurt am Main. Javën e kaluar në spitalin e Universitetit Johann Wolfgang Goethe ka realizuar transplantim të zemrës një pacienteje 59 vjeçare e cila ka pasur kardiomiopati terminale, pasi që është operaruar në vitin 2000, ku ai së pari i ka bërë rekonstruim të valvulës mitrale, vendosjen e tre bajpasave dhe i është korigjuar një aneurysme e ventrikulit të majtë. Në vitet në vijim Pacientja ka zhvilluar një insuficiencë terminale të zemrës dhe është ranguar në listen e transplantimit pranë spitalit të sipërpërmendur.

Kjo e bën atë ndër kirurgët e vetëm shqiptarë, në mos i vetmi që arrin të realizoj këtë lloj operacioni e që paraqet kulminacionin e kardiokirurgjisë. Në intervistë telefonike, me një modesti të plotë dhe duke tentuar të bëj një sqarim më të hollësishëm e duke përdorur më pak gjuhën medicinale ai shprehet: „Te ky lloj operacioni pacientët janë në fazën e fundit të sëmundjës së zemrës, ata janë të lidhur për krevati dhe nuk kanë asnjë lloj kualiteti të jetës.

E vetmja mundësi që këtyre të u ndihmohet është transplantimi i zemrës, që d.m.th. nëse gjendet donatori, e që në këtë rast bëhet fjalë për persona që janë të vdekur klinikisht, gjegjësisht atyre u ka vdekur truri, por organet tjera janë në rregull, atëherë me lejen që ata e kanë dhënë duke qenë në jetë, atyre u merren organet e shëndosha dhe u transplantohen pacientëve që kanë nevojë për këtë organ. Për operacionin në fjalë, pacientja ishte gati dy vite në pritje të transplantimit. Ekipi ynë i përbërë nga unë dhe dy mjekë asistent kemi bërë ndërrimin e zemrës tek pacientja. Operacioni ka zgjatur 7 orë. Të shtunën pacientja e transplantuar është zgjuar nga anestezioni dhe ka filluar të kontaktoj me ne. Gjendja e saj tani është shumë e mirë, ajo ka filluar të ec, të merr ushqimin vetë dhe ndjehet shumë mirë“.

Kirurgu Omer Xhemali është i lindur më 4 korrik 1970 në Tetovë. Fakultetin e mjekësisë e kreu në Universitetin Johannes Gutenberg në Mainz të Gjermanisë ku edhe në vitin 2001 promovoi dhe morri gradën Dr. med. Prej diplomimit, ka realizuar një sërë specializimesh dhe trajnimesh profesionale në Universitetin Johannes Gutenberg ne Mainz, në spitalin shtetëror në Wiesbaden dhe spitalin Universitar Johann Wolfgang Goethe në Frankfurt am Main si dhe dhjetëra kurse pasdiplomike në fushën e kirurgjisë kardiovaskulare. Pos pozitës si kryekirurg në spitalin universitar të J.W Goethe ne Frankfurt am Main, ushtron edhe detyrën e profesorit universitar në të njëjtin universitet si docent i kirurgjisë. Është anëtarë i më shumë rrjeteve dhe shoqatave medicinale në Gjermani dhe në nivel evropian.

Fokuse kryesore shkencore të tij janë ndërhyrja kirurgjike në valvulën mitrale dhe të aortës, trajtimi kirurgjik i insuficiencës së zemrës, çrregullimet ritmike të zemrës etj. Është bashkautor i dy titujve nga fusha e mjekësisë dhe autor i mbi 100 artikujve tjerë dhe abstrakteve shkencore. Ne vitin 2007 zgjidhet si autor më i mirë i një pune shkencore në Gjermani, Austri dhe Zvicër, ku edhe merr çmimin “Hans Borst”.
Përndryshe, dr. Omer Xhemali ka bashkëpunim të vazhdueshëm me Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, ku përveçse si ligjërues ai ndërmjetëson në më shumë bashkëpunime me institucione mjekësore në Gjermani.