Në bazë të nenit 2 nënpika 1 dhe 14, në lidhje me nenin 5, 20 dhe 76 nga ligji mbi Organizimin e Qytetarëve dhe Fondacioneve (Fletorja zyrtare e R. Maqedonisë Nr 31/98, ligjin për Shoqata dhe Fondacione Gaz. Zyrtare nr. 52/2010), Kuvendi i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur me datë 30. 05. 2016 e miratoi këtë:
S T A T U T
Të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë.
I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Me Statutin e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë përcaktohen këta dispozita: emri i Shoqatës dhe selia e sajë, veprimtaria, forma e organizimit, qëllimet dhe detyrat, të drejtat dhe obligimet, përgjegjësitë, anëtarësimi, financimi, posedimi dhe shfrytëzimi i mjeteve financiare dhe materiale, prezantimi dhe përfaqësimi, mënyra e informimit për punën e Shoqatës, bashkëpunimi me Shoqatat tjera simotra dhe organizata profesionale në vend dhe në botë, formimi dhe ndërprerja e punës së Shoqatës dhe procedura e miratimit të statutit.
II. FORMA E ORGANIZIMIT
Neni 2
Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni (në tekstin që vijon – Shoqata apo inicialet e emrit – SHMSHM) është e organizuar në mënyrë vetjake dhe profesionale, nëpërmjet organizimit realizon qëllimet, detyrat, obligimet dhe të drejtat që dalin nga statuti, ligjet dhe kushtetuta.
Neni 3
Kjo Shoqatë si organizim i pavarur dhe profesional i mjekëve shqiptarë është formuar me qellim që t’i mbroj të drejtat e anëtarëve të vetë, të avancoj njohuritë profesionale dhe vlerat etike te tyre, me qellim të përmirësimit te shërbimeve mjekësore dhe te sistemit shëndetësor në interes të pacientit.
III. EMRI DHE SELIA E SHOQATËS
Neni 4
Emri i Shoqatës është: SHOQATA E MJEKËVE SHQIPTARË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË.
Neni 5
Selia e Shoqatës është në kompleksin e Spitalit Klinik në Tetovë, rruga “Mehmet Pash Deralla”, nr. 16. Selia mund të ndërrohet me vendim të Asamblesë dhe të Kryesisë Qendrore.
Neni 6
Shoqata është e regjistruar në regjistrin e Shoqërive, Shoqatave të Qytetarëve dhe Fondacioneve pranë Gjykatës Themelore në Tetovë.
Neni 7
Shoqata ka memorandumin dhe vulën e vetë. Vula ka formën e rrumbullakët me diametër 3,5 cm, në brendinë e së cilës në formë gjysmërrethi është i shënuar në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht, ky emër: Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni, Tetovë. Në mesin e vulës figuron emblema e Shoqatës e që është fytyra e Hipokratit në tufe kornizë me emrin e tij dhe simbolin e shëndetësisë: dy gjarpërinj të mbështjellë në gota.
Memorandumi i Shoqatës ka formë katërkëndëshi në të cilin horizontalisht është e shkruar në dy gjuhë emri dhe selia e Shoqatës, numri protokollar dhe data e pranim-dorëzim të akteve.
Neni 8
Shoqata e ka xhirollogarinë e vetë pranë Bankës Ekonomike “Stopanska banka” filiali në Tetovë, numrin tatimor, web faqen dhe e-mail-in.
Neni 9
Shoqata e ka statusin e personit juridik me të drejta, obligime dhe përgjegjësi, të cilat dalin nga statuti, ligjet dhe kushtetuta.
Neni 10
Shoqatën e përfaqëson dhe prezanton kryetari i Shoqatës ose në mungesë të kryetarit, Shoqatën e përfaqëson dhe e prezanton zëvendës/kryetari i Shoqatës. Me autorizim të posaçëm nga kryetari ose zëvendës/kryetari Shoqatën mund ta prezantojë dhe përfaqësojë sekretari gjeneral i Shoqatës ose ndonjëri nga anëtarët e kryesisë qendrore me autorizim gojor ose të shkruar.
Në nivel të degëve Shoqatës mund ta përfaqësoj dhe prezantoj kryetari i degës me të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga statuti dhe ndonjëri nga anëtarët e i kryesisë së degës me autorizim gojor ose të shkruar nga kryetari i degës.
IV. QËLLIMET DHE DETYRAT E SHOQATËS
Neni 11
Shoqata në mënyrë aktive nëpërmjet Kryesisë Qendrore, Kryesive të Degëve, Kuvendit Qendror dhe Kuvendeve të Degëve mbron avancimin e anëtarëve të vetë, etikën dhe moralin në shëndetësi në funksion të profesionalizmit dhe shkencës. Shoqata ka për obligim t’i përcjell dukuritë e ndryshme në legjislativen shtetërore në sferën e shëndetësisë dhe të reagoj në mënyrë adekuate ndaj rrjedhave dhe fenomeneve të ndryshme.
Neni 12
Shoqata e ka për detyrë të organizojë në mënyrë të vazhdueshme avancim profesional dhe shkencor me ligjërata të ndryshme në nivel të degëve, kongrese, takime profesionale, akademi solemne dhe vizita shkencore në nivele të ndryshme, krejt kjo në funksion të ngritjes profesionale dhe shkencore.
Neni 13
Shoqata si organ të vetin ka revistën shkencore profesionale “Medicus” me ISSN, UDC dhe bar-cod karakteristik. Revista botohet së paku dy here në vit ose sipas nevojës edhe më shumë.
Shoqata mundet të publikojë sipas nevojës edhe supplemente të “Medicusit”
Neni 14
Propozim për Kryeredaktor të “Medicus” –it e jep kryetari ose 1/3 e Kryesisë së Shoqatës, e zgjedh kryesia me më se paku 2/3 e votave.
Kryesia e Shoqatës definon kriteret për Kryeredaktorin e Revistës
Këshillin redaktues të Revistës “Medicus” – e zgjedh Kryesia e shoqërisë, me propozim te Kryeredaktorit.
Kryesia e Shoqatës zgjedh anëtarët e Këshillit Botues të Revistës në përbërje prej më së shumti 9 (nëntë anëtarëve). Kryetari i Shoqatës është edhe kryetar i Këshillit botues.
Neni 15
Shoqata e ka për obligim të kujdeset për çdo anëtarë të vetin për punën e tij profesionale dhe përsosjen shkencore duke dhënë rekomandime dhe mendime para organeve dhe institucioneve në shtet dhe jashtë shtetit.
Neni 16
Shoqata nëpërmjet organeve të veta e ka për detyrë të përcjell në mënyrë aktive tërë procesin shëndetësorë në vend në lidhje me parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, lëshimin në përdorim të barnave, organizimin shëndetësorë në shtet, të përcjell diskriminimet profesionale, përsosjen profesionale nëpër organizatat shëndetësore private dhe publike dhe të përcjell sjelljen e ligjeve nga sfera e shëndetësisë në funksion të ruajtjes dhe mirëqenies së shëndetit të pacientit.
Neni 17
Shoqata e ka për detyrë nëpërmjet degëve të veta të mbaj regjistrin e anëtarëve të vet, të mbaj regjistrin e mjekëve të porsa diplomuar si dhe të kujdeset për ta nëpërmjet dhomës së mjekëve në marrjen e licencës për punë dhe mbrojtjen e anëtarëve të vet para dhomës së lartpërmendur.
Anëtarët e Shoqatës duhet të pajisen me librezë anëtarësie dhe rregullisht të paguajnë anëtarësinë.
Anëtarët e Shoqatës mund të japin dorëheqje në çdo kohë me shkrim në selinë e degës së Shoqatës.
Anëtarët e Shoqatës mund të përjashtohen nga Shoqata në rast të humbjes së licencës ose mbi bazën e vendimit gjyqësor apo akt tjetër juridik i plotfuqishëm që ndalon veprimtarinë profesionale të personit në fjalë.
Vendim për përjashtimin e anëtarëve sjell Kryesia Qendrore me 2/3 e votave.
Anëtarë nderi i Shoqatës mund të jetë çdo anëtar, i cili me punën e vet ka dhënë kontribut të posaçëm në zhvillimin profesional dhe shkencor në mjekësi.
Anëtarët e nderit i miraton Kryesia qendrore me 2/3 të votave, të propozuar nga kryesia e degëve.
V. ORGANIZIMI I SHOQATËS
Neni 18
Organ më i lartë që del nga Kuvendet e Degëve dhe Kuvendit Qendrorë të Shoqatës është Kryesia Qendrore e Shoqatës.
Neni19
Kryesia Qendrore e Shoqatës ka numër tek të anëtarëve dhe numri më i vogël i anëtarëve të Kryesisë Qendrore është 7 anëtarë.
Neni20
Anëtarët e Kryesisë Qendrore delegohen nga degët e Shoqatës. Çdo degë e Shoqatës delegon numër të anëtarëve të Kryesisë Qendrore sipas numrit të anëtarëve aktiv të regjistruar dhe që janë pagues të rregullt të anëtarësisë.
Degët që kanë nën 30 anëtarë të rregullt delegojnë një anëtarë, dega që ka 30 deri 100 anëtarë delegon dy anëtarë, dega që ka 100 e më shumë anëtarë delegon tre anëtarë, anëtarë në Kryesinë Qendrore.
Neni21
Anëtarët e kryesisë i delegon Kuvendi i degëve në mbledhjen e rregullt me të gjithë anëtarët pas konstituimit. Në Kuvendin e degëve marrin pjesë të gjithë anëtarët e regjistruar në nivel të degës, të cilët në nivel të degës janë edhe kuvendarë të degës (sipas rregullave te nenit 17 të Statutit).
Neni22
Anëtarët e Kryesisë Qendrore pas delegimit nga kuvendet e degëve i verifikon në mënyrë formale Kuvendi i Shoqatës. Me shumicë votash nga kuvendarët e Kuvendit qendrorë bëhet verifikimi i anëtarëve të Kryesisë Qendrore. Zgjedhja mund të jetë e hapur, e mbyllur apo me aklamacion.
Neni 23
Kuvendi Qendror ka të drejt të mos verifikojë ndonjë kandidatë të deleguar nga kuvendet e degëve vetëm nëse ka argumente (në përputhje me alinenë 4, neni 17 të Statutit) se ai nuk është i përshtatshëm për anëtarë të kryesisë qendrore dhe ia kthen Kuvendit të degës në rishqyrtim për propozim te ri.
Neni 24
Anëtarët e Kryesisë Qendrore në mbledhjen konstitutive që e thirr kryetari i vjetër i Shoqatës nga radhët e veta zgjedh kryetarin e ri të Shoqatës, zgjedh zëvendës /kryetarin dhe sekretarin gjeneral.
Neni 25
Mandati i Kryesisë Qendrore zgjatë katër vjet me të drejtë të rizgjidhet.
Mandati i kryetarit te Shoqatës, zëvendës/kryetarit dhe sekretarit gjeneral zgjatë katër vjet, me të drejtë për rizgjedhje.
Kryetari i Shoqatës vendos për problemet aktuale në përditshmërinë e veprimit profesional të anëtarëve të Shoqatës në konsultim me zëvendës/kryetarin dhe sekretarin gjeneral.
Kryetari i Shoqatës e njofton Kryesinë Qendrore për të gjitha aktivitetet e marra ndërmjet dy mbledhjeve.
Neni 26
Zëvendës kryetari i Shoqatës e udhëheq Shoqatën në mungesë të kryetarit, e në mungesë të kryetarit apo zëvendës/kryetarit me Shoqatën mund të udhëheq ndonjëri nga anëtarët e Kryesisë Qendrore deri në kthimin e kryetarit apo zëvendës /kryetarit, me autorizim gojor apo të shkruar nga kryetari apo zëvendës /kryetari.
Neni 27
Sekretari gjeneral i udhëheq të gjitha punët administrative në Shoqatës në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe të kryetarit apo zëvendëskryetarit.
Neni 28
Kryesia Qendrore mbanë mbledhje të rregullta sipas detyrave që i parashtrohen, por nga mbledhja në mbledhje mos të kalojnë më shumë se 3-6 muaj. Në çdo mbledhje Kryesia Qendrore mban procesverbal.
VI. KRYESIA E DEGËS
Neni 29
Kryesia e degës është organ udhëheqës në kuadër të Shoqatës, e cila zgjidhet nga anëtarët e Shoqatës, të cilët janë anëtarë të rregullt dhe të regjistruar në degë. Anëtarët e degës së Shoqatës janë njëherë edhe kuvendarë të degës.
Neni 30
Kryesia e degës numëron prej 5 deri në 7 anëtarë. Kryesia e degës e zgjedh kryetarin dhe sekretarin nga radhët e veta të kryesisë së degës me të cilën udhëheq katër vjet me të drejt rizgjedhje. Kryesia ka të drejt të zgjidhet edhe në një mandat tjetër katërvjeçare.
Neni 31
Me kryesinë udhëheqë kryetari i degës e në mungesë të tij kryetari emëron gojarisht apo me shkrim zëvendës, një nga anëtarët e kryesisë së degës
Neni 32
Kryesia e degës e ka për detyrë çdo 3 muaj, sipas nevojës edhe më shpesh, të mban nga një mbledhje.
Neni 33
Kryesia ka të drejt të bën vulën e vetë të degës së Shoqatës të njëjtë me vulën e kryesisë qendrore, por shkruhet dega e qytetit përkatës dhe selia e degës.
Neni 34
Për çdo harxhim kryesia e degës e informon Kryesinë Qendrore dhe anëtarët e degës në raportin financiarë vjetorë apo gjashtëmujorë.
VII. KUVENDI I SHOQATËS
Neni 35
Kuvendi i Shoqatës është organ më i lartë i Shoqatës, i cili:
– kontrollon punën e Kryesisë Qendrore, të kryesive të degëve,
– miraton vendime,
– e përfaqëson Shoqatën para organeve shtetërore dhe gjyqësore,
– vendos për formimin grupeve punuese dhe komisioneve ,
– jep leje për regjistrimin dhe dhurimin e pasurive materiale,
– bën evidentimin vjetor të pasurive të tundshme dhe të patundshme të Shoqatës
– sjell vendime për formimin e degëve të reja nëse paraqitet numër i mjaftueshëm i anëtarëve nëpër qytete të Republikës.
– vendos për dhënien e Mirënjohjeve dhe të vlerësimeve tjera për persona të merituar.
– zgjedh dhe gjyqin e nderit të Shoqatës.
– zgjedh Komisionin etik me 5 anëtarë
– zgjedh Komisionin statutar me 5 anëtarë
– zgjedh Komisionin mbikëqyrës me 5 anëtarë
Neni 36
Kuvendi zgjidhet nga anëtarët e degëve me delegim nga degët edhe atë me këtë kriter: ne çdo 30 anëtarë aktiv me pagesë të verifikuar të degës zgjidhet nga një anëtar në Kuvendin Qendrorë.
Neni 37
Kuvendi konstituohet me thirrjen e mbledhjes konstitutive të thirrur nga kryetari i Shoqatës dhe në mbledhje konstitutive zgjedh kryetarin dhe zëvendës /kryetarin e Kuvendit.
Neni 38
Kuvendi sjell rregulloren e vetë se si do të organizohet Shoqata në nivelin vertikal dhe horizontal. Kuvendi mund të autorizojë Kryesinë për ushtrimin e autoritetit për çështje të veçanta
Neni 39
“ votimi pa prezencë” është mënyrë kur anëtarët e kryesisë, kuvendarët dhe anëtarët e komisioneve, mund të votojnë në mënyrë elektronike ( Email) ose me nënshkrim të aktit.
Neni 40
Në Kuvendin Qendror vendoset për mandatin e kuvendarëve dhe për shpalljen e zgjedhjeve në nivelet e Shoqatës.
VIII. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 41
Zgjedhja e anëtarëve dhe funksionarëve të Shoqatës, në të gjitha nivelet, bëhet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve nëpër nivele, nëse nuk është paraparë ndryshe me këtë statut
Neni 42
Me pushimin e punës së Shoqatës njoftohen organet zyrtare dhe e tërë pasuria u ndahet organizatave humanitare dhe jo qeveritare.
Kuvendi i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar të Republikës së Maqedonisë.